Pesë gjuhët e programimit që duhet të mësoni për vitin 2020

Në këtë artikull kemi zgjedhur pesë gjuhë të famshme që do ishin të vlefshme të mësoheshin nga ju vitin e ardhshëm.

Programimi na e ka bërë jetën më të lehtë. Që nga industria e makinave dhe deri te spitalet, çdo aspekt i jetës tonë varet nga kodi i kompjuterave. Ndaj nuk është çudi që puna e një programuesi paguhet shumë. Por kë gjuhë programimi duhet të mësoni?

Në këtë artikull kemi zgjedhur pesë gjuhë të famshme, secila me veçoritë e veta, që do ishin të vlefshme të mësoheshin nga ju vitin e ardhshëm.

Java

Gjuha e programimit Java do bëhet 25 vjeç vitin e ardhshëm. Një nga gjuhët më të famshme, Java përdoret si gjuhë serveri nëpër projekte back-end dhe është gjuha më e përdorur për zhvillimin e aplikacioneve në Android.

Në indeksin TIOBE, ku listohen gjuhët e programimit sipas popullaritetit, Java mban vendin e parë që nga viti 2004. Nëse nuk ju mjafton kjo, rreth 90% e kompanive në Fortune 500 përdorin Java në zhvillimin e produkteve të tyre.

Duhet ta mësoni gjuhën e Java për të ndërtuar programe serveri të fuqishme me mundësi zgjerimi. Java ofron mjete dhe ka një komunitet gjigand për t’ju ndihmuar të ndërtoni programe shumë komplekse. Me Java do fokusoheni vetëm në dizajnin e programit dhe strukturimin e kodit, pa u merakosur për detaje specifike të sistemit apo menaxhimin e memories.

Nëse vendosni të mësoni Java, kursi në Sputnik mund t’ju hyjë në punë për të hedhur hapat e parë.

Python

Python është një nga gjuhët që studiohet më shumë në shkolla dhe universitete nëpër botë. Në Amerikë, Python ka zëvëndësuar Java për shumë kurse akademike si gjuha e preferuar që një fillestar duhet të mësojë.

Gjuha e Python mund të përdoret si për të shkruar skripte të vogla dhe deri te ndërtimi i projekteve të mëdha. Reddit, website i 18 më i vizituar në botë, është ndërtuar mbi strukturën Django (shkruar në Python).

Kohët e fundit, Python po përdoret shumë për teknologjitë e reja si inteligjenca artificiale apo shkenca e të dhënave, për shkak të librarive shumë të mira që ofron si TensorFlow apo scikit-learn.

Nëse vendosni të mësoni Python, Sputnik ofron mbi 25 leksione për t’u njohur sa më mirë me gjuhën.

JavaScript

Në vend të Java mund të përdorni C++, dhe në vend të Python të përdorni Ruby për skripte të vogla, por nuk ka asnjë gjuhë që mund të zëvëndësojë JavaScript! Vitet e fundit, JavaScript e ka dominuar komplet tregun online.

Më përpara, për të bërë një website, duhej të dinit disa gjuhë të ndryshme. Por tani, që nga logjika dhe deri te komunikimi me databazën mund të bëhet me JavaScript. Falë strukturave si Node.js dhe React, ju mund të përdorni JavaScript si në server, por edhe në zhvillimin e ndërfaqes së përdoruesit.

Vështirë të ketë një website dinamik në botë që nuk ka të paktën një rresht JavaScript. Vetë Sputnik është i shkruar tërësisht në JavaScript.

Gjithashtu, struktura si React Native apo Ionic, përdorin JavaScript për të ndërtuar aplikacione mobile të cilat mund të kompilohen si aplikacione native për Android apo iOS.

Kotlin

Kotlin është një gjuhë e përgjithshme programimi dizenjuar të jetë komplet e ndërveprueshme me Java. Kjo e fundit e ka bërë zhvillimin në Android më të shpejtë dhe të bukur, pasi Kotlin zgjidh disa probleme që Java ka, dhe kjo ka bërë që shumë aplikacione në Android të rishkruhen me Kotlin.

Kompani të mëdha, si Pinterest apo Netlix, janë shpërngulur në Kotlin për shkak të përpunimit të fuqishëm që ofron. Meqë shumë biznese po përdorin Kotlin, Google do fillojë të promovojë më shumë se Java, ndaj Kotlin ka një të ardhme shumë të ndritur në programimin Android.

Kotlin është gjuhë që mësohet lehtë dhe është open-source. Veç programimit në Android, atë mund ta përdorni edhe në zhvillim web apo desktop.

Swift

Swift është një gjuhë e përgjithshme e zhvilluar nga Apple, e cila i ofron zhvilluesve një sintaksë të lehtë. Ndikuar shumë nga Python dhe Ruby, Swift është një gjuhë e shpejt dhe e sigurt.

Promovuar shumë nga Apple, Swift është rritur shumë në popullaritet dhe i ka zënë vendin Objective-C si gjuha kryesore për aplikacione në sistemet Apple. Ky i fundit është një treg shumë i gjerë dhe i kërkuar, ndaj, nëse doni të merrni pjesë aty, Swift është gjuha e duhur për të mësuar në vitin 2020.